Një grup i madh i tifozëve të Juventusit nga Kosova udhëtoi drejt Torinos për të mbështetur skuadrën e tyre në një nga ndeshjet më të mëdha të futbollit italian – derbin ndaj AC Milanit, që zhvillohet sonte në stadiumin Allianz me fillim nga ora 20:45.
Ky grup i organizuar, i njohur si “Juventus Fan Club Kosovo”, nuk i la pas as emocionet dhe pas mbërritjes në stadium, ata morën pjesë në atmosferën festive para përballjes së madhe.
Edon Zhegrova, ylli kosovar i Juventusit, nuk mund të mungonte në këtë moment. Ai u nda për disa minuta nga bashkëlojtarët për t’i takuar tifozët nga vendi i tij, duke ndarë momente të veçanta dhe të paharrueshme me ata që e kanë ndjekur karrierën e tij me krenari.
Në këtë takim nuk munguan fotot, autogramet dhe përkrahja e ngrohtë nga tifozët, të cilët madje postuan një baner gjigant me foton e Zhegrovës, duke treguar se sa shumë e mbështesin lojtarin e tyre.
Ky moment tregon lidhjen e fortë mes futbollistit dhe komunitetit të tifozëve nga Kosova, që ndjekin Juventusin kudo në Evropë.
Zhegrova, do të jetë në dispozicion për ndeshjen e rëndësishme ndaj Milanit dhe pritet të ketë rol te Juventusi në derbin klasik italian.