Me fillimin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, janë shtuar thirrjet për të gjitha vajzat dhe gratë për kujdes të shtuar dhe kontrolle mjekësore për të parandaluar këtë sëmundje.
Diagnostikimi i hershëm, sipas drejtorit të Onkologjisë, Ilir Kurtishi, e bën më të lehtë trajtimin.
“Shumica nga këta diagnostikohen për fat të mirë, mbi 50 për qind në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes gjë që e bën më të lehtë dhe më të suksesshëm trajtimin e kësaj sëmundjeje”, theksoi Kurtishi në RTK.
Statistikat tregojnë se 1 në 8 gra preken nga kanceri i gjirit, derisa të dhënat e regjistruara sivjet, nuk dallojnë shumë nga ato të vitit paraprak.
“Është një shenjë e mirë që këtë vit, për 9 muaj kemi regjistruar rreth 320-330 raste me kancer të gjirit, prej tyre janë 3 meshkuj, ky numër është i njëjtë me vitin 2024 dhe mbas këtij trendi ne mendojmë që edhe fundi i këtij viti do ta gjejë Kosovën me shifrat e njëjta pra të mos kalohet shifra prej 450-460 pacientëve të cilët për herë të parë kanë këtë sëmundje”, tha Kurtishi.
Kanceri i gjirit mbetet një sfidë serioze shëndetësore për gratë në të gjithë botën.
Fushata gjatë gjithë tetorit ka për qëllim vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve që me vetkontrolle e kontrolle të rregullta mund të bëjnë hapin e parë për shpëtimin e jetës.