Policia nis fushatën “Duart në timon, jo në telefon”

Policia nis fushatën “Duart në timon, jo në telefon”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur fushatën vetëdijësuese “Duart në timon, jo në telefon”, që synon ngritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, raporton Gazeta Enigma.

Fushata po zhvillohet nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në bashkëpunim me stacionet policore vartëse në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit, si dhe me mbështetjen e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”.

“Një sekondë në telefon mund të jetë shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”, është mesazhi qendror që Policia e Kosovës po përcjell për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Gjatë kësaj periudhe, policia do të organizojë aktivitete të ndryshme vetëdijësuese, përfshirë shpërndarjen e fletëpalosjeve, vendosjen e posterëve në rrugë e sheshe publike dhe mbajtjen e ligjëratave në shkollat e rajonit të Ferizajt.

Faza e parë e projektit, që ka karakter parandalues dhe edukativ, do të zgjasë deri më 12 tetor 2025. Nga data 13 tetor, policia do të fillojë me zbatimin e masave ndëshkuese për të gjithë shoferët që shkelin ligjin dhe rrezikojnë sigurinë rrugore duke përdorur telefonin gjatë ngasjes.

Related Articles