Madrid: Katër punëtorë zhduken pas shembjes së një ndërtese

Madrid: Katër punëtorë zhduken pas shembjes së një ndërtese

Të paktën katër punëtorë ndërtimi rezultojnë të zhdukur pasi një ndërtesë në rikonstruksion u shemb pjesërisht në qendër të Madridit, kanë bërë të ditur autoritetet të martën.

Tre burra dhe një grua janë raportuar të zhdukur nga kompania përgjegjëse e ndërtimit, ka thënë për gazetarët zëvendëskryetarja e bashkisë së Madridit, Inma Sanz.

“Katet e sipërme u shembën dhe ranë poshtë, prandaj po flasim për një sasi shumë të konsiderueshme rrënojash që do të duhet shumë kohë për t’u pastruar – jo vetëm orë, por ndoshta disa ditë”, tha Sanz, shkruan Reuters.

Policia dhe zjarrfikësit po përdorin dronë dhe qen nuhatës për të kërkuar të zhdukurit brenda ndërtesës që ndodhet pranë teatrit të operës së kryeqytetit spanjoll dhe pallatit mbretëror.

Dy persona u plagosën lehtë, ndërsa një i tretë u dërgua në spital me këmbë të thyer, ka bërë të ditur Beatriz Martin, një zëdhënëse e shërbimeve të urgjencës.

Sipas saj, shembja e pjesshme e ndërtesës pesëkatëshe ndodhi brenda, duke e lënë fasadën e saj të paprekur.

Punëtori i ndërtimit Mikhail, i cili po pomponte beton në katet e poshtme të ndërtesës, ishte jashtë në momentin e shembjes. Ai tregoi se pa një re të madhe pluhuri dhe menjëherë iku me vrap.

Related Articles