Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme e ka takuar presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marco Perestrello, me ç’rast e pranoi edhe Çmimin për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”.
Osmani u shpreh tepër mirënjohëse duke thënë se ky çmim njëkohësisht është vlerësim edhe për të gjitha gratë e Kosovës.
“Diskutuam për rolin në rritje të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pas vendimit për avancimin e statusit tonë në anëtare të asociuar – një hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin tonë euroatlantik”, deklaroi Osmani.
“Rikonfirmova se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës sonë më të gjerë për anëtarësim në NATO, që mbetet njëkohësisht prioritet i politikës sonë të jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare”, shtoi e para e shtetit të Kosovës.