Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë detajet e fundit nga dita e tretë e aktiviteteve nga Qendrat Komunale të Numërimit, ku po bëhet numërimi për kandidatët për asambleist dhe verifikimi i rezultatetve për kandidatët e kryetarëve për komuna, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, e mërkurë, janë verifikuar rezultatet për 1,133 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjetet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1,084 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 1,084, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.”, tha Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.
Ai tha se numërimi ka përfunduar në 9 komuna.
“Deri më tani, aktivitetet në QKN janë përmbylluar në 9 komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë. Kësaj liste pritet t’i shtohen edhe disa komuna tjera deri në përfundim të ditës së sotme”.
Ai bëri me dije se të martën është kryer tërheqja e fletëvotimeve që kane ardhur nga diaspora.
“Të martën është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimin jashtë Kosovës përmes postës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Tërheqja e pakove me fletëvotime ëshë bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë”, tha ai.
KQZ ka filluar me vlerësimin e këtyre pakove, ndërsa prej më shumë se 18.000 pako, janë refuzuar 2,400.
“Aktualisht, KQZ-ja ka filluar me vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës, të cilat janë sjellur në Kosovë, deri më tani.
Deri të mërkurën në orën 16:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 18,000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 15,600, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,400. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 2,358 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikojmë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, përfundon njoftimi.