Pretndohet se disa banorë që nuk janë banorë të Komunës së Junikut kanë votuar aty në zgjedhjet e 12 tetorit, raporton Gazeta “Enigma”.
Lidhur me këto pretendime, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për Gazetën “Enigma” se institucioni ka nisur veprimet e para hetimore.
“Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të Komunës së Junikut, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj. Lumturije Vuçetaj, ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme”, deklaroi Nikçi.
Pretendimet për dallavere me vota në Junik i ngriti deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, duke kërkuar nga prokuroria të hetojë procesin zgjedhor në këtë komunë.
Ai ka bërë me dije se atje votuan edhe qytetarë të komunave tjera.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj shkroi se shumë qytetarë në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut.
“Prokuroria ta hetojë procesin zgjedhor në Junik, në këtë komunë votuan edhe qytetarë të komunave tjera! Juniku, si një zonë zgjedhore, ka shumë qytetarë nga qytetet tjera të cilët në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut. Kjo përbën vepër penale dhe si e tillë duhet urgjentisht të hetohet. KQZ duhet ta publikojë listën zgjedhore të kësaj komune, pasi kjo është shumë e qartë si skemë e dominimit numerik kriminal”, shkroi Daut Haradinaj.