Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si “faqen më të ndritur të historisë shqiptare”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se falë sakrificës së UÇK-së, Kosova sot gëzon lirinë dhe pavarësinë e saj. Ai theksoi se akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë janë “tërësisht të fabrikuara nga Beogradi” dhe nuk kanë asnjë provë të vërtetë.
“UÇK-ja ishte ushtria e lirisë, e cila me përkushtim e heroizëm u bë aleate e NATO-s në luftën kundër regjimit kriminal të Millosheviçit. Pa këtë sakrificë të jashtëzakonshme, Kosova nuk do të ishte sot e lirë,” deklaroi Berisha.
“Partia Demokratike përsëri deklaron se: 1. Lufta çlirimtare e UÇK-së në Kosovë është faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar që nga luftërat e Skënderbeut. 2. Pa sakrificën, gjakun, trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve të lirisë të UÇK-së, Kosova nuk do të ishte kurrë një vend i lirë dhe i pavarur.
3. Lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës është lufta e fundit çlirimtare në Europë që i dha fund pushtimit të gjatë serb të Kosovës, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte aleate besnike e Aleancës së Atlantikut të Veriut në territorin e Kosovës gjatë fushatës së bombardimeve ajrore kundër regjimit të Millosheviçit nga Aleanca, në pranverën e vitit 1999.
Partia Demokratike e Shqipërisë është forca politike që mbështet zbatimin e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo parti ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë dhe ka ndjekur e ndjek me vëmendjen më të madhe punimet e kësaj gjykate në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së dhe të Republikës së Kosovës: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, etj. Partia Demokratike konstaton se në këtë proces të zgjatur, disa herë para publikut nuk është paraqitur asnjë fakt apo provë për asnjërën prej akuzave të paraqitura ndaj tyre. E kundërta, janë rrëzuar akuzat monstruoze si ajo e “shkuljes së organeve” dhe tregtimit të tyre nga luftëtarët e UÇK-së në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Nuk është publikuar asnjë fakt apo provë që të provojë urdhra direkt të ish-udhëheqësve të UÇK-së për krime konkrete. Ky proces dëshmoi përfundimisht se ai është i bazuar në dosje të fabrikuara nga Beogradi dhe armiq të tjerë të kombit shqiptar që kërkojnë të barazojnë agresorin, pushtuesin me çlirimtarin. Për të gjitha këto, Partia Demokratike i bën thirrje trupit gjykues të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë të shpallë sa më parë pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së dhe të Kosovës, në respekt të plotë të parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Së fundmi, Partia Demokratike përshëndet protestën paqësore të bashkëluftëtarëve të ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe të Kosovës, sikundër dënon çdo përpjekje për manipulim të saj nga albanofobë shqipfolës, armiq të damkosur të Kosovës“.
Ndërsa drejtori i komunikimit të Berishës, Alfred Lela tha se PD nuk ka dhene asnjë urdhër që bojotonin protestën.
“Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj, të mos jenë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, në proces gjyqësor në Hagë.Spekulimi banal i ndonjë medieje se ky urdhër ekziston është pjesa e skenarit të përhershëm anti-opozitar te Ramaduros dhe Partia Demokratike e hedh poshtë si të tillë.Siç theksohet në deklaratën e Partisë Demokratike të sapo hedhur dhe në qëndrimet e ditëve të fundit dhe të përhershme të kryetarit të saj, Berisha, kauza e UÇK, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës, janë jo vetëm të drejta, por edhe pjesë e nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare.”.