Trump i thotë jo raketave Tomahawk për Ukrainën

Trump i thotë jo raketave Tomahawk për Ukrainën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk arriti të siguronte raketat lundruese Tomahawk gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump, megjithëse kishte udhëtuar në Uashington me këtë shpresë.

Këto raketa me rreze të gjatë veprimi, sipas Zelenskyt, do të ndihmonin Ukrainën për të goditur objektiva strategjike të naftës dhe energjisë brenda territorit rus.

Gjatë fjalës hapëse në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh: “Shpresoj ta zgjidhim këtë luftë pa menduar për Tomahawk. Është një armë që Amerikës i duhet.”

Takimi mes dy liderëve zgjati rreth dy orë e gjysmë. Më vonë, Zelensky e përshkroi si një takim “produktiv”, por theksoi se nuk do të komentonte për raketat Tomahawk sepse, sipas tij, “SHBA-të nuk duan përshkallëzim.”

Më vonë gjatë ditës, Trump u bëri thirrje të dyja palëve që të ndalin luftën: “Të dyja palët duhet të shkojnë në shtëpi, të shkojnë te familjet e tyre, të ndalojnë vrasjet. Dhe kjo duhet të jetë e gjitha,” tha ai, duke shtuar se këtë ndjesi ia kishte komunikuar si Zelenskyt, ashtu edhe presidentit rus Vladimir Putin.

Takimi Zelensky-Trump ndodhi vetëm një ditë pasi Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin, ku u raportua se ranë dakord të takohen së shpejti në Hungari.

Ndërkohë, Zelensky kishte sugjeruar më herët një shkëmbim të mundshëm armësh, duke thënë: “Ukraina ka mijëra dronë të prodhuar nga ne, por ne nuk kemi Tomahawk. SHBA mund të kenë mijëra dronë tanë, aty mund të punojmë së bashku.”

Related Articles