Gjykata Themelore e Pejës i ka caktuar 30 ditë paraburgim Mahmut Hoxhajt, i dyshuar për plagosjen e dy personave të premten në Pejë. Ai po hetohet për veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Gjatë seancës dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, sipas vendimit që ka siguruar Gazeta Insajderi, i pandehuri Mahmut Hoxhaj e kundërshtoi kërkesën e prokurorisë, duke u pajtuar në tërësi me mbrojtjen e tij.
Avokati i tij, Fanol Krasniqi, deklaroi para gjykatës se klienti i tij ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike, duke përmendur se Hoxhaj ka përjetuar “padrejtësi që nga viti 2022”, kur gjatë një procesi gjyqësor në Pejë ishte zhvilluar procedura penale në cilësinë e të dëmtuarit.
“Mahmuti u vra jo fizikisht, por në zemër dhe në sulmet e vazhdueshme që ka pranuar nga familja Gashi. Ai është gjetur në një situatë të rënduar psikologjike me padrejtësitë që kanë ndodhur gjatë viteve”, tha Krasniqi, duke theksuar se prokuroria dhe gjykata duhet të përjashtohen nga rasti, pasi vepra është kryer afër objektit të gjykatës dhe, sipas tij, mund të mungojë paanshmëria.
Në fund të seancës, Mahmut Hoxhaj tha shkurt se pajtohet me deklarimet e mbrojtësit të tij dhe kundërshton paraburgimin ndaj tij, duke mos pasur asgjë tjetër për të shtuar.
Gjykata megjithatë vendosi ta mbajë në paraburgim për 30 ditë, me arsyetimin se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale që ka mbetur në tentativë.