Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se kanë nisur punimet për Fazën e Dytë të ndërtimit të zhveshtoreve dhe fushës ndihmëse të klubit futbollistik FC Prishtina, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ministrisë për krijimin e kushteve moderne dhe standardeve të larta për sportistët dhe zhvillimin e sporteve elitarë në vend.
Faza e dytë përfshin ndërtimin e infrastrukturës shtesë që do të mundësojë kushte të përshtatshme për stërvitje, duke u ofruar sportistëve mundësi për përgatitje profesionale dhe zhvillim të mëtejshëm. Ky investim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sportit në nivel kombëtar, duke siguruar mbështetje për ekipe dhe sportistë që përfaqësojnë vendin në arenat ndërkombëtare.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit theksoi se ky projekt është një tjetër shembull i angazhimit të vazhdueshëm për zhvillimin e infrastrukturës sportive në çdo cep të Kosovës, duke kontribuar në krijimin e mundësive të reja për talente të rinj dhe përmirësimin e kushteve të trajnimit për të gjithë sportistët.