Policia e Kosovës ka zhvilluar sonte një aksion në Prishtinë, gjatë të cilit ka arrestuar një 28-vjeçar të dënuar me 2 vjet e 2 muaj burgim për veprën penale që lidhet me substanca narkotike.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Enis Pllana i cili bëri të ditur se i dyshuari ishte në kërkim edhe për dhunë në familje.
“Arrestohet një person i dënuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve. Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve policore me qëllim kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar si autor të veprave penale. Në kontekstin e kësaj, sonte nga veprimet e marra nga njësitë e stacionit policor Veriu në Prishtinë, është arritur arrestimi i personit të kërkuar”.
Pllana po ashtu njoftoi se i dyshuari me iniciale T.B., është dërguar në vuajtje të dënimit.
“T.B, mashkull, 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i dënuar me 2 vite e 2 muaj burgim për veprën penale “Blerje, posedim dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”, si dhe në kërkim si i dyshuar për “Dhunë në familje”. Po ashtu, gjatë operacionit të dyshuarit i është gjetur edhe një sasi e dyshuar e substancave narkotike. I njëjti pas arrestimit nga ana e policisë është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në konfirmim.

 
											 
											 
											 
											 
											