PDK reagon pas mandatimit të Konjufcës për kryeministër: Askush s’e ka shumicën, zvarritje e panevojshme

PDK reagon pas mandatimit të Konjufcës për kryeministër: Askush s’e ka shumicën, zvarritje e panevojshme

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër nga Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, duke theksuar se Kosova ndodhet përpara një momenti vendimtar politik e institucional që kërkon “vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Sipas PDK-së, tashmë është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, nuk e mbështesin më idenë e një mandati tjetër qeverisës për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione”, thuhet në reagim.

PDK vlerëson se, ashtu siç ka dështuar Albin Kurti në sigurimin e shumicës, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht procesin e formimit të qeverisë.

“Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë”, thekson PDK, duke paralajmëruar se injorimi i këtij realiteti vetëm sa do të thellonte krizën dhe pasigurinë institucionale në vend.

Në emër të “përgjegjësisë dhe besimit qytetar”, PDK kërkon t’i jepet fund çdo skeme zvarritëse apo improvizimi politik dhe t’i hapet rrugë zgjedhjeve të reja.

“Sot, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e parakohshme, që do t’i kthejnë sovranit të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja”, thuhet në reagim.

PDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se ka shkaktuar krizë të zgjatur gjatë këtij viti, e cila ka dëmtuar ekonominë, mirëqenien e qytetarëve dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas PDK-së,  rreziku që buxheti i vitit të ardhshëm të mos kalojë me kohë dhe qytetarët të mbeten pa paga e bën “edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja”.

PDK thekson se mbetet e përkushtuar të kontribuojë në çdo proces që garanton stabilitetin institucional dhe forcimin e demokracisë parlamentare në Kosovë.

Related Articles