Pezullohet hetimi ndaj Dodikut për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjës

Pezullohet hetimi ndaj Dodikut për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjës

Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës pezulloi hetimin kundër ish-presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ish-kryeministrit të Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq, dhe kryetarit të Kuvendit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, të cilët dyshoheshin për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës, iu konfirmua Radios Evropa e Lirë më 4 nëntor.

Arsyeja për pezullimin e hetimit, siç iu tha REL-it, është se “nuk ka prova të mjaftueshme që të dyshuarit kanë kryer vepër penale”.

Vendimi për pezullimin e hetimit do të thotë se nuk do të ngrihet asnjë aktakuzë.

Ai vjen disa ditë pasi Dodik dhe partnerët e tij politikë e biznesorë u hoqën nga lista e zezë e Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Lënda u krijua në fillim të vitit, pasi Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi disa ligje që ndalonin funksionimin e institucioneve shtetërore gjyqësore dhe policore në territorin e këtij entiteti, e të cilat Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës i shpalli jokushtetuese.

Zyra e Prokurorit tha atëkohë se ka arsye për të dyshuar se tre zyrtarët më të lartë të entitetit serb të Bosnjës kanë organizuar një përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues të shtetit.

Hetimi ishte në qendër të vëmendjes së publikut për muaj të tërë.

Ngjarja kulmoi në mars të këtij viti, kur Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës, për shkak të mosreagimit të tyre ndaj thirrjeve për t’u marrë në pyetje, urdhëroi ndalimin e tyre dhe lëshoi një urdhër arresti.

Ai ishte i vlefshëm që nga 17 marsi dhe të gjitha agjencitë policore në Bosnje dhe Hercegovinë kishin urdhër për ndalimin e tyre.

Dodik shkoi vullnetarisht në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës më 4 korrik, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.

Ai u mor në pyetje si i dyshuar në hetime.

Related Articles