Gjykata dënon me një muaj parabugim të dyshuarin që kanosi gjyqtarin në Ferizaj

Gjykata dënon me një muaj parabugim të dyshuarin që kanosi gjyqtarin në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Alban Nezirajt rreth 36-vjeçar, i cili dyshohet se ka kanosur një gjyqtar të kësaj gjykate gjatë ditës së hënë (3 nëntor).

Gjykata njofton se masa u caktua pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Ferizajt, ndërsa vendimin e mori gjyqtarja e procedurës paraprake, Hakile Ilazi, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të provave në dosje.

Lidhur me rastin, Sinjali pati raportuar ekskluzivisht, ku kanosja ka ndodhur në prani të zyrtares ligjore K. L dhe disa punonjësve të tjerë të gjykatës.

Tutje, në njoftim thuhet se i dyshuari kishte kanosur me fjalë gjyqtarin, duke thënë: “Veç mos e zafsha në udhë qat I.”, dhe kishte përdorur shprehje të tjera ofenduese, me ç’rast tek i dëmtuari ishte shkaktuar ankth dhe ndjenjë pasigurie.

Bazuar në hetimet fillestare, 36-vjeçari pas refuzimit për të pranuar aktgjykimin me të cilin ishte shpallur fajtor, kishte kërkuar takim me gjyqtarin I.B., por pasi kërkesa iu refuzua, ai kishte shpërthyer në tone kërcënuese dhe ofenduese në prani të stafit të gjykatës dhe praktikantëve.

Prokuroria e ngarkon të pandehurin me veprën penale “Kanosje”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles