Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 21 për qind e votuesve në 18 komunat.
Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore me rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, dalja është më e ulët, tha kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Gjatë konferencës për media, Radoniqi adresoi çështjen e votimit me asistencë për të cili tha se ka pasur disa ankesa.
Ai tha se votimi me asistencë është i garantuar me ligj për personat që kanë aftësi të kufizuara, përkatësisht ata që “nuk mund ta mbushin dhe hedhin fletëvotimin” në kuti.
“Kjo nuk nënkupton që në emër të kësaj të drejte të garantuar të abuzohet dhe në këtë kategori të hyjnë personat që nuk kanë aftësi të kufizuara”, tha ai.
Radoniqi shtoi se bazuar në Rregulloren zgjedhore të KQZ-së është vendosur që aftësia e kufizuar e një votuesi të dëshmohet me dokument përkatës.
I pyetur nëse personat që nuk dinë shkrim-lexim kanë të drejtë asistence, ai tha se kanë të drejtë të udhëzohen se si të votojnë, por nuk mund t’iu ofrohet ndihmë në kabinën e votimit.
