Partia Demokratike e Kosovës sot ka bërë të ditur se do të dorëzojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me dyshimet për manipulim të votave në Mitrovicë.
Sekretari organizativ në PDK, Betim Gjoshi në një postim në Facebook shkruan se vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve.
“Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë brenda afatit ligjor ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve”, shkruan Gjoshi.
Ndryshe, një ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas ndërprerjes së procesit të numërimit të votave në Mitrovicë, duke njoftuar se është konstatuar një gabim teknik në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimeve, konkretisht në kodin e vendvotimit.
Në komunikatën për media, KQZ bën të ditur se gabimi është identifikuar në disa prej dengjeve të fletëvotimeve, sipas informatave të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.
Sipas sqarimit, kompania përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve ka pranuar mundësinë që defekti të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile, ndërsa është zotuar se në ditët në vijim do të dorëzojë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast.
KQZ thekson se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë, dhe për çdo vendvotim numrat serikë përputhen plotësisht me ato të verifikuara në Qendrat Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
KQZ thotë se gabimi teknik nuk ndikon në integritetin e votimit.
Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është bërë e ditur se ka urdhëruar që përkohësisht të ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.
“Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime.
Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
