Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut.
Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar se dy policë do të jenë prezent në qendrën e numërimit, gjatë gjithë kohës së procesit.
Ndërkaq zëdhënësi KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se procesi i verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale në Mitrovicë të Jugut do të vazhdojë në ora 16:00.
“Ju informoj se në orën 16:00 do të vazhdojë procesi i verifikimit në Qendrën Komunale të Mitrovicës e Jugut”, tha Elezi.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar mbrëmë që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.
Në njoftim është thënë se ka pasur pretendime për manipulim me fletëvotime dhe do të pritet deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që i ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar numrat e ndryshëm serikë në disa fletëvotime.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që kjo komunë të shkojë në rivotim, ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot gjatë ditës ka pranuar sqarim zyrtar lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
Në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.
KQZ thotë se “hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”.
“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
