Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kërkuar të premten publikisht që të shtyhet konventa për zgjedhjen e kryetarit, e cila pritet të mbahen të hënën, raporton Gazeta Enigma.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoxhaj ka shkruar se ka kërkua nga kryesia e partisë që konventa të shtyhet të paktën për të dielën e ardhshme.
“Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave
Ai nuk ka treguar nëse do të kandidojë për kryetar të PDK-së.
“Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në. Për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime. Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”, ka theksuar tutje ai.
“Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët. PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, ka shkruar ai.
