Pas protestave në disa qytete të ndryshme të Evropës, tani ankesat kundër gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë drejtuar në Strasburg të Francës, para asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës.
Aty, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së bëri të ditur se ka dorëzuar 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, me shqetësimet e tyre lidhur me procesin në Gjykatën Speciale.
Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, është shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Enver Hoxhaj nga PDK ka publikuar pamje nga Strasburgu, ku sot në orën 13:00 ka nisur protesta e paralajmëruar në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së.
“UÇK tund Strasburgun! UÇK në çdo zemër, në çdo zë”, ka shkruar ai krahas videove nga vendngjarja.
Organizatorët kanë paralajmëruar se në këtë protestë pritet të marrin pjesë rreth 6 mijë persona.
