Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot nga ora 10:00 seancën plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2021.
E, nga ora 14:00 do të vazhdojnë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.
Të hënën, më 2 gusht, po ashtu, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, ku pos pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës, pritet të debatohet lidhur me punën e 100 ditëve të para të Qeverisë Kurti.
Në këtë seancë pritet të shqyrtohet edhe Propozim-vendimi i Qeverisë për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik, si dhe të zgjidhen kryesuesi dhe dy anëtarë të ZRRE-së, si dhe tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave.