Gjenerali amerikan në pension Wesley Clark, ish-komandant suprem i forcave të NATO-s gjatë ndërhyrjes në Kosovë, po dëshmon në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, në Hagë
Në këtë pjesë të dytë, Clark kujtoi momentet kyçe të vitit 1999 dhe theksoi se misioni i NATO-s kishte qenë i qatë. të ndalonte dhunën dhe spastrimin etnik ndaj popullsisë shqiptare. “Kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, i dhashë udhëzime të qarta gjeneralit Mike Jackson, duhej të siguronim paqen, të mos lejonim spastrim etnik. Dislokuam forca dhe bëmë gjithçka që kishim në dorë për të zvogëluar aktet e dhunës,” deklaroi Clark.
Ai përshkroi situatën dramatike që kishte gjetur në terren pas luftës: njerëz që kishin humbur çdo gjë, familje të tëra që ishin përballur me frikë për jetën, shtëpi të plaçkitura dhe të djegura. “Nuk e imagjinoni dhimbjen që kishin këta njerëz,” tha ish-komandanti, duke shtuar se edhe vetë aleatët e NATO-s nuk e kishin kuptuar plotësisht shkallën e vuajtjes së popullsisë civile.
Clark kujtoi edhe vizitën që kishte bërë në Prishtinë së bashku me Javier Solanën, ku, sipas tij, qindra mijëra qytetarë kishin dalë në rrugë për t’i përshëndetur. “Ata na falënderonin sepse kishim larguar shtypjen e ushtruar nga forcat serbe. Ishin ndjenja të forta,” u shpreh ai.
Dëshmia e Clarkut konsiderohet një nga më të rëndësishmet për ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit, pasi fokuson rolin e NATO-s dhe situatën humanitare në Kosovë gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999.
