Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes gjatë ngasjes në rrugë.
Në një postim në Facebook, Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me ujë.
Po ashtu edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar reshje të dendura shiu sot dhe nesër me intensitet të lartë në disa zona të vendit.
IHMK ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë të pazakontë në numrat emergjentë të qytetit.
