Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se gjithçka është gati për ndeshjen e sotme ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe Zvicrës.
Dardanët dhe zviceranët do të përballen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Pavarësisht shiut të pandërprerë që ka përfshirë vendin, Ademi tha se ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit, duke u siguruar që çdo detaj të jetë në vend.
“Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme! Ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit dhe çdo detaj është vënë në vend. Fusha na pret, tribunat janë gati të mbushen me emocion, zëra e brohorima. Tani është momenti ynë, është koha e ekipit dhe tifozëve! Shihemi në stadium!”, ka shkruar Ademi.
