Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe procesin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas një komunikate nga Presidenca, në takim, Presidentja Osmani ka ritheksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, duke theksuar domosdoshmërinë e respektimit të standardeve më të larta demokratike.
Ajo ka rikonfirmuar edhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të avancuar bashkëpunimin bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë dhe të drejtave të njeriut. Presidentja ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i jep Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Në këtë kuadër, Osmani dhe Ambasadori Hargreaves diskutuan edhe për përgatitjet drejt shtyrjes përpara të iniciativës së Presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, nismë e cila është trajtuar më herët në takimin me Sekretarin e Jashtëm britanik gjatë vizitës së tij në Kosovë.
