Peshkatari nga Mitrovica, Islam Sadiku ka deklaruar se digat e Ibër-Lepencit janë hapur pa asnjë paralajmërim dhe pa konsultuar askënd nga komuniteti i peshkatarëve.
Sipas Sadikut, ky veprim, të cilin ai e quan arbitrar, ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në ekosistemin ujor, përfshirë humbjen e rreth 20 tonëve peshk të kultivuar me mund dhe investime shumëvjeçare,
Bazuar në raportimet e mediave lokale në Mitrovicë, Sadiku ka theksuar se dëmi nuk është vetëm ekonomik, por një goditje e rëndë për gjithë pasurinë natyrore të Ibrit, që me vite është ruajtur e kultivuar nga peshkatarët lokalë.
“Organet kompetente kanë hapur digat dhe kanë lëshuar ujin pa u konsultuar me peshkatarët apo me askënd tjetër, duke vepruar krejtësisht arbitrarisht. Ky veprim ka shkaktuar dëme të mëdha në afro 20 ton peshk, të cilin e kemi kultivuar me shumë mund dhe përkushtim”, u shpreh Sadiku.
I njëjti ka shtuar se pasojat nuk janë të kufizuara vetëm te peshku i shkatërruar, por edhe te cilësia e ujit, habitatet natyrore dhe stabiliteti i gjithë ekosistemit të liqenit, i cili mund të ketë nevojë për vite të tëra për t’u rikuperuar.
“Ftoj mediat, institucionet përgjegjëse dhe të gjitha organet kompetente që të ndërhyjnë urgjentisht, të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin masat e duhura për të mbrojtur pasurinë tonë ujore”, ka bërë thirrje ai.
