Vetëm disa ditë pasi ish-policit të Njësisë Speciale të Kosovës, Arbnor Spahiu, iu dha liria pas ndalimit të tij në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, autoritetet serbe kanë arrestuar një tjetër qytetar të Kosovës, po ashtu ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kësaj radhe bëhet fjalë për Avni Qenajn, banor i fshatit Romajë të Prizrenit, i cili është ndalur nga policia serbe gjatë kalimit të kufirit.
Lajmi për arrestimin e tij është konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, si dhe nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së. Sipas MPJD-së, institucionet kompetente janë vënë menjëherë në kontakt me autoritetet përgjegjëse dhe po ndjekin me kujdes të gjitha procedurat për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave ligjore të Qenajt.
Përfaqësues të OVL-UÇK-së kanë dënuar ashpër arrestimin, duke e cilësuar atë pjesë të praktikave të vazhdueshme të Serbisë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së. Ata kanë kërkuar ndërhyrje urgjente të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të parandaluar rastet e tilla, të cilat, sipas tyre, synojnë ushtrimin e presionit dhe frikësimit ndaj qytetarëve kosovarë.
Ndërkohë, MPJD ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ofrimin e ndihmës konsullore dhe ligjore për Qenajn, derisa të sqarohet plotësisht situata dhe të sigurohet trajtim i drejtë gjatë gjithë procesit në Serbi.
E presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, të hënën ka pritur në një takim ish-pjesëtarin e Njësisë Speciale, Arbnor Spahiut pas lirimit nga burgu në Serbi.
Ajo ka ripërsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht atyre që planifikojnë të udhëtojnë gjatë festave të fundvitit, që të shmangin transitin nëpër Serbi.
Sipas saj, në Serbi ende janë në pushtet struktura që, siç u shpreh ajo, “nuk dallojnë në mendësi nga regjimi i kaluar serb”, çka paraqet rrezik për sigurinë e udhëtarëve kosovarë.
Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e qytetarëve të saj kudo që ndodhen dhe për parandalimin e rasteve të ngjashme të ndalimeve të padrejta.
Por, avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj deklaratës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nëpër Serbi pas rasteve të përsëritura të arrestimeve të kosovarëve nga autoritetet serbe.
Në një reagim publik, Koci tha se ndonëse shqetësimi është i drejtë dhe rreziku real, qasja e institucioneve nuk duhet të prodhojë frikë apo ndjenjë dorëzimi te qytetarët.
“Kur thua ‘mos shkoni’, atëherë duhet të tregosh edhe ‘si do t’ju mbrojmë’ dhe ‘çfarë zgjidhje po ofrojmë’. Përndryshe, thirrja mbetet e cunguar dhe krijon hapësirë për pasiguri,” theksoi Koci.
Ai kërkoi që shteti të shoqërojë paralajmërimet me masa konkrete, duke përfshirë: ofrimin e rrugëve alternative të sigurta dhe të përballueshme për diasporën; garanci për mbrojtje konsullore të menjëhershme në rast të ndalimeve; koordinim të ngushtë me shtetet mike për monitorimin e situatës; masa reciproke në përputhje me të drejtën ndërkombëtare; presion diplomatik të vazhdueshëm për të ndalur praktikat e autoriteteve serbe.
