Kompania e “Trafikut Urban” ka njoftuar se nuk do të rifillojë operimin normal derisa të shlyhen detyrimet financiare ndaj furnitorëve, një proces që, sipas saj, është i varur nga transferimi i fondeve nga institucionet qendrore.
Në një komunikatë për media, kompania ka theksuar se është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, të shpejtojnë procedurat për transferimin e mjeteve, për të mundësuar rikthimin e shërbimit të transportit publik pa vonesa të mëtejshme.
“Përderisa nuk do të realizohen këto obligime financiare, dhe deri në momentin që të mund të rifillojmë operimin, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e Trafikut Urban do të vazhdojë,” tha kompania në reagimin e saj.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se, sapo fondet të bëhen të disponueshme, shërbimi i transportit publik do të kthehet menjëherë në funksion, pa asnjë vonesë.
Në fund, Trafiku Urban ka siguruar qytetarët se të gjitha biletat mujore të paguara do të kompensohen për ditët që ata nuk kanë mundur të shfrytëzojnë shërbimin e transportit.
