Bartja e mjeteve u miratua, transportuesit urbanë protestojnë sërish

Bartja e mjeteve u miratua, transportuesit urbanë protestojnë sërish

Protesta e transportuesve urbanë në kryeqytet do të vazhdojë edhe sot (e hënë) protestën para Komunës së Prishtinës, raporton Gazeta Enigma.

Pavarësisht se të enjten, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, është miratuar bartja e mjeteve vetjake, përfaqësues të trafikut urban dhe atyre privatë theksuan se protestat do t’i vazhdojnë derisa mjetet financiare t’u dalin në llogaritë bankare.

“Ne nesër jemi në grevë. Në momentin që mjetet, pra shuma e borxhit, alokohen nga Komuna tek “Trafiku Urban”, greva ndërpritet. Komuna e ka borxhin tonë 3.3 milionë euro. Prej tyre 680 mijë euro janë alokuar para 3–4 ditësh, aq sa ka pasur mundësi Komuna. Ndërsa pjesa tjetër, rreth 2.7 milionë euro, ende nuk është alokuar. Nesër, pasnesër, kurdo që mjetet alokohen, ne e fillojmë punën; deri atëherë, jemi në grevë”, ka thënë Ilmi Gashi, përfaqësues i sindikatës së Trafikut Urban.

“Protesta vazhdon prapë. Që nga nesër, prej orës 10:00 deri në 12:00, jemi në protestë derisa të alokohen mjetet dhe t’u kalohen kompanive në xhirollogari. Duhet që Kuvendi Komunal ta dërgojë vendimin në Ministrinë e Financave për bartjen e të hyrave vetjake nga 2024 në 2025, Ministria t’i alokojë 28 milionët, dhe Komuna t’i kryejë obligimet që ka ndaj nesh”, ka thënë Izet Smajli, kryetar i shoqatës së transportit privat “Uni Trans”.

Transportuesit kanë nisur protestat që nga e hëna, pasi Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të shlyejë obligimet financiare si pasojë e mosmiratimit të buxhetit me kohë.

Related Articles