Donat Hasanaj zgjidhet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

Donat Hasanaj zgjidhet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, këtë javë çmimin tradicional “Ylli i Javës”, e ka ndarë për futbollistin e FC Prishtina e Re, Donat Hasanaj, raporton Gazeta Enigma.

Ai pati një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 90 minutave të ndeshjes. Ndonëse mbrojtës, ai ka shënuar një gol, përveç ndërhyrjeve shumë të rëndësishme, në fitoren e rëndësishme të skuadrës së tij kundër FC Prishtina, 4:1.

Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Fatmir Mehmeti, Agim Maliqi dhe Muhamet Sylejmani.

Pasi mori këtë çmim, Hasanaj u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Kemi pasur një ndeshje shumë të vështirë kundër FC Prishtina, të cilët kryesojnë tabelën, por edhe ne e kemi përgatitur ndeshjen kundër tyre shumë mirë. Është e vërtetë që kemi pasur shumë ndryshime, duke na u ndërruar në 15 xhiro tre trajnerë, por atmosfera momentale është shumë e mirë në skuadër. Si në aspektin individual, ashtu edhe në atë ekipor, kemi luajtur shumë mirë dhe e shfrytëzoj rastin t’i falënderoj bashkëlojtarët për kontributin, që unë ta marr këtë çmim sot”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Related Articles