Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar ashpër pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar listën Srpska për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas BE-së, ky vendim është i gabuar dhe bie ndesh me standardet ndërkombëtare për një proces të drejtë e gjithëpërfshirës.
Në reagim thuhet se politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe parti të tjera po e dëmton seriozisht integritetin e zgjedhjeve dhe po injoron rekomandimet e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së.
“BE në Kosovë shpreh keqardhje për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës që të mos e certifikojë Listën Srpska për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 28 dhjetorit.
Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe parti të tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së” thuhet në reagimin e tyre.

