Çka fshihet pas bumit të bizneseve të reja me të cilat po mburret Qeveria?

Çka fshihet pas bumit të bizneseve të reja me të cilat po mburret Qeveria?

Mbi 11 mijë biznese të reja u regjistruan në Kosovë nga janari deri në tetor të këtij viti – një shifër kjo që nga Qeveria në detyrë shihet si sinjal i gjallërisë ekonomike.  

Për ekspertët, megjithatë, numrat nuk tregojnë gjithë rrëfimin.

Rritja e ekonomisë, sipas tyre, nuk matet me sa biznese hapen, por me sa prodhohet, sa shitet dhe sa eksportohet.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e përshkroi këtë trend si “tregues të shëndetit të mirë të ekonomisë”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke shpërndarë të njëjtin mesazh, tha se gjatë mandatit të tyre “numri i bizneseve të reja të regjistruara është ngritur vit pas viti”, duke e paraqitur këtë si dëshmi të një ekonomie në zgjerim.

Por, njohësit e fushës së ekonomisë, Lulzim Rafuna dhe Shpend Ahmeti, shohin një tjetër realitet pas këtyre shifrave optimiste.

Sipas tyre, struktura e bizneseve të reja nuk përbën dëshmi të rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Shumica dërrmuese e tyre janë mikro-biznese – shpesh me kapacitet të kufizuar punësimi dhe prodhimi.

Vetëm në tetor, nga 1.125 biznese të reja, 1.116 ishin mikro-ndërmarrje me deri në nëntë të punësuar, ndërsa vetëm nëntë u klasifikuan si biznese të mesme – me 50 deri në 249 punëtorë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Asnjë ndërmarrje e madhe, me mbi 250 punëtorë, nuk u regjistrua në atë muaj.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se ky model është i njëjtë prej vitesh: hapen shumë biznese të vogla, por pak prej tyre rriten dhe diversifikojnë ekonominë.

“Shumica janë start-up. Është pozitive që të rinjtë, viteve të fundit, po tregojnë interes gjithnjë e më të madh për të hapur biznese, por këto nuk mund të kenë ndikim të menjëhershëm në ekonominë e përgjithshme”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Shpend Ahmeti, bashkëthemelues i platformës Data4X, që mbledh dhe analizon të dhëna ekonomike, thotë se rritja ekonomike nuk matet me numrin e bizneseve të reja, por me qarkullimin real të bizneseve.

Të dhënat e Data4X tregojnë se nga janari në shtator të këtij viti, ka pasur rënie të qarkullimit pikërisht te sektorët e prodhimit dhe tregtisë – dy motorët e vërtetë të ekonomisë.

I vetmi sektor me rritje qarkullimi ka qenë ai i furnizimit me energji elektrike.

Ahmeti nënvizon domosdoshmërinë e fokusimit në prodhim, në mënyrë që Kosova ta zëvendësojë importin me eksport brenda pak viteve.

Me mbështetje të qëndrueshme institucionale, sipas tij, importi mund të zëvendësohet deri në një miliard euro nga eksporti.

“Produktet me potencial të lartë për eksport, të cilat mund të kontribuojnë në rritjen e përgjithshme ekonomike, janë: përpunimi i pijeve, ushqimet e konservuara pa bazë shtazore, tekstili dhe materialet ndërtimore”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.

Ekonomisti Shenoll Muharremi, njohës i politikave publike, shkon edhe më tej në kritikën e tij. Ai thotë se rritja e numrit të bizneseve nuk është domosdoshmërisht lajm i mirë, pasi shumica prej tyre janë biznese tregtare që varen nga importi.

“Nuk ka asgjë të krenohet me këtë model, i cili duhet të ndryshohet. Me këtë import, ne nxjerrim jashtë vendit gjashtë miliardë euro në vit nga tregtia në mallra”, shkruan Muharremi në Facebook.

Ai thotë se ky është indikator i qartë i dështimit të modelit ekonomik aktual.

Muharremi shton se një tjetër boshllëk domethënës është numri i vogël i bizneseve të reja në sektorin e bujqësisë, që, sipas ekspertëve, në vende të tjera zhvilluese është një prej bazave kryesore të ekonomisë së qëndrueshme.

Për ta kthyer ekonominë drejt prodhimit, Ahmeti sugjeron ndryshime konkrete në politika: pagesa e TVSH-së brenda vendit, e jo paraprakisht në doganë, për të liruar kapitalin e bizneseve; dhe lehtësira financiare, pasi shumë ndërmarrje përballen me mungesë të parasë së gatshme.

Një model i tillë, thotë ai, do të rriste kapacitetet prodhuese, punësimin dhe rritjen e qëndrueshme.

Rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2025 ka qenë 3.8% – një shifër solide, por jo mjaftueshëm për të thyer rrethin e varësisë nga importi dhe atë të bizneseve mikro.

Related Articles