Në rast se dënohet, shoferi i autobusit të “Deva Tours”, nga përmbysja e të cilit afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci dhjetë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, mund të kthehet në Kosovë për ta vuajtur dënimin. Ministria e Drejtësisë në Kroaci thotë se për t’u mundësuar kjo, duhet të plotësohen disa kushte.
Ministria e Drejtësisë dhe Administratës në Kroaci nuk e përjashton mundësinë që shoferi i cili e shkaktoi aksidentin e tmerrshëm të dielën afër Slavonski Brod, mund të ekstradohet në Kosovë në rast të dënimit.
Në një përgjigje të kësaj ministrie theksohet se në këtë fazë të procedurës penale shoferi do të vazhdojë të mbahet në Kroaci.
“Procedurat e ekstradimit ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës do të zhvillohen në bazë të reciprocitetit. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që në rastin për të cilin keni shkruar, i dyshuari është në paraburgim në Republikën e Kroacisë, e cila ka filluar procedimin penal kundër tij, nuk është i mundur të zbatohet ekstradimi në këtë rast të veçantë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë kroate të Drejtësisë dhe Administratës.
Nga kjo ministri permendin po ashtu një marrëveshje që ekziston mes Kosovës dhe Kroacisë, e ku parashihet marrja përsipër e procedurës penale.
“Në pajtim me Marrëveshjen për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës të nënshkruar në vitin 2012, në këtë rast është e mundur të aplikohet ndjekja penale, nëse organi gjyqësor kompetent kroat përcakton se ekzistojnë kushte për këtë dhe nëse Republika e Kosovës e merr përsipër procedurën”, thuhet në përgjigje.
Në rast se shoferi dënohet me burgim, ai mund të transferohet në Kosovë për ta vuajtur dënimin. Ministria kroate thotë se parakusht për këtë është plotësimi i kushteve të përshkruara nga legjislacioni i brendshëm i të dy shteteve.
“Në rast se një shtetas i Republikës së Kosovës dënohet ligjërisht me burgim në Republikën e Kroacisë, është e mundur që ai të transferohet në Republikën e Kosovës për ta vuajtur dënimin me burgim në vendin e tij me qëllim të rehabilitimit më të mirë shoqëror, nëse personi i dënuar e ka kërkuar transferimin dhe nëse janë përmbushur kushtet e përshkruara nga legjislacioni i brendshëm i të dy shteteve”, theksohet në përgjigjen Ministrisë së Drejtësisë dhe Administratës në Kroaci.
Kosova nuk ka marrëveshje me Kroacinë për transferimin e të dënuarve. Nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë thënë të martën për Express se 52-vjeçari, i cili është shtetas i Kosovës, mund të transferohet për ta vuajtur dënimin në Kosovë, në rast se për këtë do të pajtohej shteti kroat.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë nuk kanë marrëveshje dypalëshe për Transferimin e Personave të Dënuar, por ligji i Kosovës e përcakton se nëse shteti tjetër pajtohet (garanton në reciprocitet), personi i dënuar mund të transferohet për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Mile Soldo, gjykatësi hetues i cili e mori vendimin për paraburgimin e shoferit kosovar, shpjegoi para mediave atje se marrëveshja që Kroacia e ka me Kosovën për bashkëpunim në procedurat penale nuk parashikon ekstradimin e qytetarëve për shkak të ndjekjes penale.
“Procedura do të kryhet në Kroaci. Sidoqoftë, ekziston një mundësi ligjore që ajo të zhvillohet në Kosovë, por kërkon pëlqimin e të dy palëve, nuk i takon mbrojtjes të vendosë”, u shpreh ai.
Një çast gjumi gjatë vozitjes u tha se mund të ishte shkaku i tragjedisë së të dielës që erdhi pasi autobusi doli jashtë autostradës, por këtë e mohoi të martën avokati i shoferit.
Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod vendosi të martën një masë paraburgimi prej 30 ditësh ndaj drejtuesit të autobusit, për shkak të rrezikut të arratisjes. Ndaj shoferit mund të shpitohet dënimi me burgim nga tre deri në 15 vjet, sipas Kodit Penal në Kroaci.
Pas seancës ku u mor vendimi për paraburgimin e shoferit, avokati i tij, Igor Cishper nga zyra ligjore e avokatit të njohur kroat, Ljubo Pavasoviq Viskoviq, tha se klienti i tij kurrë askujt s’i kishte thënë se e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes.
“Shoferit i vjen shumë keq. Me sa di unë, ai kurrë nuk i tha askujt se e kishte zënë gjumi. Ai m’i tregoi disa gjëra, por unë do t’i mbaj për ne”, tha avokati Cishper.
Por ditën e tragjedisë, zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjiq, tha se shoferi i kishte thënë se e kishte zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes.
“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë”, deklaroi Pranjiq.
Zyra e Prokurorit të Shtetit në Kroaci tha të hënën se i dyshuari ishte i lodhur dhe i paaftë për të vozitur i sigurt në kohën e aksidentit.
Shoferi ishte dërguar i prangosur të hënën në Prokurori, ku kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje.
Policia kroate tha të dielën se në orën 6:19 të mëngjesit kishte pranuar raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë kishte dalë nga autostrada.
“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana-Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për t’i marrë trupat e të aksidentuarve”, thuhet në deklaratë.
Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë, para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër.
Shoferi i cili nuk po voziste në momentin tragjik, është në mesin e të vdekurve, bashkë me nëntë pasagjerë. I biri i tij tha të dielën se babai i tij ka rreth tetë muaj që ka filluar punën në këtë kompani. Ai tha se shoferët kishin pushuar vetëm atë mbrëmje që kishin mbërritur në Gjermani dhe në mëngjes sërish ishin nisur për në Kosovë.
“Janë nisur para 3-4 ditëve, edhe në momentin që kanë mbërri, veç atë mbrëmje kanë pushuar dhe menjëherë të nesërmen në mëngjes rreth orës 09:00 janë nisur për në Kosovë. Herën e fundit kur kam folur me të ka qenë në momentin kur e kanë kaluar kufirin Gjermani-Austri”, ka thënë ai për REL.
Josip Mataija, shef i Shërbimit të Sigurisë në Trafik në Kroaci, së fundmi ishte mysafir në televizionin N1 ku foli drejtpërdrejt për aksidentin në të cilin vdiqën 10 shtetas të Kosovës. Ai tha se tragjedia do të ishte më e vogël nëse udhëtarët do të ishin lidhur me rripin e sigurisë.
“Një pjesë e udhëtarëve dolën nga autobusi. Nëse ata do të kishin qëndruar në automjet, tragjedia do të ishte më e vogël. Autobusët nga viti 2008 duhet të kenë rripa sigurimi. Ky autobus kishte rripa sigurie, por mesa duket disa pasagjerë nuk i përdorën ata”, u shpreh ai.
Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku disa prej tyre po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor, disa u dërguan në Zagreb, ndërsa disa u kthyen në Kosovë.
Të mërkurën në Kosovë mbërritën edhe 10 kufomat e atyre që pësuan fatalisht nga ky aksident.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli të hënën e kësaj jave ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Frankfurti në Kosovë .
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ishte të dielën në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës atje, Gëzim Kasapolli, kishte vizitiuar paraprakisht të lënduarit në spitalin rajonal në Slavonski Brod.