Krejt çka dihet për aksionin e mbrëmshëm që çoi në arrestimin e gjashtë zyrtarëve shtator

Krejt çka dihet për aksionin e mbrëmshëm që çoi në arrestimin e gjashtë zyrtarëve shtator

Një operacion i gjerë i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është zhvilluar të enjten pasdite në rajonin e Prishtinës, në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë Speciale, aksioni lidhet me dyshime serioze për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë korrupsionin, keqpërdorimin e pozitës zyrtare, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, ushtrimin e ndikimit, mashtrimin si dhe armëmbajtjen pa leje.

Gjatë operacionit janë arrestuar shtatë persona me inicialet F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L. Aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe të gjatë hetimesh dhe monitorimi, gjatë së cilës janë zbatuar edhe masa të veçanta hetimore.

Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave, ndërsa me vendim të saj, të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Gjatë bastisjeve në disa lokacione janë sekuestruar rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme si dhe pajisje elektronike që pritet të shërbejnë si prova në procesin hetimor.

Për aksionin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se disa persona janë shoqëruar për intervistim në kuadër të operacionit të zhvilluar në koordinim të ngushtë me AKI-në dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale. Sipas Policisë, operacioni është shtrirë në disa lokacione të ndryshme në vend dhe rasti po trajtohet nga Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK).

Autoritetet kanë paralajmëruar se detaje shtesë do të bëhen publike pas përfundimit të plotë të veprimeve policore.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se në këtë aksion janë përfshirë zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion. Ai theksoi se operacioni është bazuar në informacione të siguruara nga AKI dhe pas hetimeve disamujore të Policisë së Kosovës.

Sipas Sveçlës, në mesin e të dyshuarve janë kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës me inicialet J.M., disa zyrtarë nga avokatura (N.K., M.D. dhe B.D.), një ekspert gjyqësor me inicialet Sh.T., një zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve, një zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (G.L.), si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, me inicialet F.I.

Ai shtoi se të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit. Sipas tij, grupi dyshohet se ka inicuar dhe proceduar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për të përfituar në mënyrë të paligjshme kompensime për shpronësime të realizuara gjatë viteve 2011–2015.

“Koha kur zyrtarët publikë keqpërdornin buxhetin e Republikës së Kosovës pa u përballur me drejtësinë ka përfunduar”, ka deklaruar Sveçla, duke përgëzuar institucionet për angazhimin dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit.

Related Articles