Një grup eurodeputetësh të premtën kanë dërguar letër presidentit të Këshillit Evropian, ku kanë kërkuar nga Von der Leyen dhe Komisionerja Marta Kos që të gjitha masat ndaj Kosovës të hiqen menjëherë.
Iniciator i letrës ishte eurodeputeti Riho Terras, i cili ka bërë të ditur se ka nënshkruar së bashku me eurodeputetë të tjerë letrën.
Letrat e plotë:
Ne, anëtarët e nënshkruar të Parlamentit Evropian, kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023.
Masat që Komisioni Evropian i zhvilloi dhe i vendosi ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta, joproporcionale dhe kundërproduktive që nga fillimi. Ato nuk kanë pasur asnjë qëllim real që nga momenti i vendosjes, dhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur asgjë me këto masa përveç një rënieje të opinionit publik në Kosovë ndaj Bashkimit Evropian.
Ndikimi negativ i masave të Bashkimit Evropian ndaj shoqërisë së Kosovës është jashtëzakonisht i thellë dhe ndihet në shumë fusha të ndryshme të jetës. Organizatat e shoqërisë civile, sektori kulturor dhe arsimor, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektori i energjisë, dhe lista vazhdon, po vuajnë nga këto masa të panevojshme.
Të gjitha partitë kryesore politike në Kosovë gjithashtu kanë shprehur shqetësimin e tyre serioz lidhur me masat dhe ia kanë sinjalizuar këtë Komisionit Evropian. Çdo spekulim që pretendon se heqja e masave mund të shihet si një akt i politizuar nga Komisioni në dritën e zgjedhjeve të përgjithshme të ardhshme është i pabazuar.
Viti 2025 ka qenë politikisht jashtëzakonisht i vështirë dhe i trazuar për Kosovën. Që nga zgjedhjet e përgjithshme në shkurt, nuk ka pasur asnjë kuvend kombëtar funksional apo qeveri funksionale. Megjithatë, demokracia po funksionon në nivel lokal – siç u konfirmua nga zgjedhjet lokale në tetor të këtij viti.
Ndikimi i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndihet kryesisht në jetën lokale, dhe më pak në nivelin e qeverisë. Ndëshkimi i popullit të Kosovës përmes masave të tilla duhet të ndalet duke i shfuqizuar 100% masat. Heqja e 50% të tyre nuk është e mjaftueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që menjëherë t’i japë fund masave. Kjo duhet të bëhet para zgjedhjeve për Kuvendin Kombëtar në Kosovë më 28 dhjetor 2025.

