Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë masa ndaj dy kamionëve transportues me targa të huaja, pas ankesave të qytetarëve për ndotje të rrugës.
Kamionët, të angazhuar nga kompani si persona juridikë, janë ndaluar nga policët e trafikut dhe janë ndëshkuar me 1,000 euro gjobë për shkelje të rregullave të trafikut rrugor.
Sipas Policisë, shoferët e autorizuar kishin për detyrë transportimin e dheut, mirëpo nuk kishin kryer pastrimin e gomave të automjeteve, duke shkaktuar ndotje të rrugës.
“Si pasojë, në tri lokacione të ndryshme është ndotur rruga magjistrale Ferizaj–Kaçanik, fshati Komogllavë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia rikujton se shoferëve u ndalohet hyrja nga rrugët dytësore të pashtruara në rrugë të asfaltuara pa hequr më parë baltën apo materialet e tjera të papastërta nga rrotat e automjeteve.
