Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka zbuluar për një takim, që ai thotë se ka ndodhur në Mitrovicë të veriut mes Ramush Haradinajt e Milan Radoiçiqit, në banesën e këtij të fundit.
Takimi sipas Bahtirit ka ndodhur para disa vitesh, me kërkesë të Ramush Haradinajt.
Bahtiri ka thënë se Haradinaj e ka telefonuar në ora dhjetë të natës dhe kur ka shkuar në takim aty është diskutuar për mundësinë e përfshirjes së AKR-së në qeveri.
Sipas tij, Haradinaj synonte të kishte Listën Serbe pjesë të qeverisë për t’u bërë kryeministër.
“Kemi qenë ne ulun aty kur më ka thirrë zoti Ramush, në banesën e tij këtu lart mbi Ibër. Ramushi ka qenë dhe mu më ka ftu në 10 të natës, u kanë ulun me këmishë të bardhë, të përvjelun deri këtu. Unë mendoj se ka ndoddhur në vitin 2019 për të bërë koalicion me Listën Serbe me qëllim që Ramushi ta marrë pushtetin. Dhe po ata dëshironin që të jemi në kombinim në qeveri dhe dëshirojshin që Ministrinë e Bujqësisë të kishim ne si AKR, dhe më kishin ftuar mua për të bë bashkëpunim, por unë nuk kam dashtë të bëjë një bashkëpunim të tillë, sepse në shtëpinë e Radoiçiqit unë nuk bisedoja me ta“, ka thënë Bahtiri në një intervistë për emisionin “Interaktiv Talks”.
