Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar ashpër Qeverinë në detyrë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në shumë zona të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra thotë se “kjo nuk po ndodh për shkak të mungesës së energjisë pasi, furnizimi i rregullt ka qenë punë e kryer, por për shkak të mafisë energjetike që është rehatuar brenda Qeverisë”.
Sipas saj, kjo nuk është krizë energjetike, por “kapje dhe vjedhje e shtetit”.
“Vuk Hamoviq, Martin Berisha & CO, emra që s’kanë kurrfarë lidhje me interesin e qytetarëve, por shumë lidhje me fitimin, skemat dhe me shumë gjasë, edhe me financimin e fushatave. Qytetarët paguajnë më shtrenjtë, shteti shtiret i pafuqishëm, ndërsa disa të privilegjuar bëjnë milionat. Kjo s’është krizë energjetike. Kjo është kapje e shtetit. Është vjedhje e shtetit. Kosova ka pasur zgjidhje. Por Qeveria ka zgjedhur interesin privat mbi qytetarin”, ka shkruar ajo.
Në fund, Deliu-Kodra u ka bërë thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të votojnë “për ndryshim”.
