Vuçiq sfidon BE-në –  Paralajmëron një fushatë të re kundër shtetësisë së Kosovës

Vuçiq sfidon BE-në –  Paralajmëron një fushatë të re kundër shtetësisë së Kosovës

Pas sukseseve të fundit të Kosovës në arenën ndërkombëtaare, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk planifikon të rrijë “duar kryq”.

Ai në një takim me ambasadorët serb të mërkurën në Konferencën e Ambasadorëve në Beograd, ka deklaruar se disa aktorë rajonalë dhe globalë kanë nisur një valë të re të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, duke paralajmëruar se Serbia do të vazhdojë një proces të ri të çnjohjes së shtetit të Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ai përsëriti pretendimin se Kosova, sipas tij, është “pjesë e pandashme e Serbisë” dhe se për këtë çështje nuk do të ketë kompromis, as në bisedime me Londrën apo Uashingtonin.

“Do të duhet të vazhdojmë punën tonë, një punë të rëndë dhe të lodhshme, dhe të vazhdojmë përpjekjet për çnjohje”, tha Vuçiq.

Nderkohë deklarata e Vuçiqit për nisjen e një procesi të ri të çnjohjeve ndaj Kosovës është një instrument presioni politik dhe psikologjik, sipas njohësve.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, tha se paralajmërimi i Vuçiqit synon të prodhojë perceptim pasigurie dhe të mbajë të hapur një konflikt diplomatik.

“Deklarata e Aleksandar Vuçiqit për nisjen e një procesi të ri të çnjohjeve të shtetit të Kosovës përfaqëson më shumë një instrument presioni politik dhe psikologjik sesa një kapacitet real strategjik me efekt afatgjatë. Serbia po rikthen një narrativë të konsumuar, e cila synon të prodhojë perceptim pasigurie dhe të mbajë të hapur konfliktin diplomatik, në një kohë kur realiteti ndërkombëtar është dukshëm më i konsoliduar në favor të subjektivitetit të Kosovës”, deklaroi Shala.

“Ky diskurs shërben për mobilizim elektoral në Serbi”

“Nga këndvështrimi gjeostrategjik, ky diskurs shërben kryesisht për konsum të brendshëm dhe për mobilizim elektoral në Serbi, si dhe për të maskuar dështimet në procesin e dialogut dhe izolimin gradual të Beogradit në raport me partnerët perëndimorë. Çdo përpjekje e re për çnjohje do të përballet me kufizime serioze, pasi arkitektura ndërkombëtare e njohjeve është sot shumë më rezistente, ndërsa shumë shtete e kanë mbyllur përfundimisht këtë kapitull”, tha eksperti i sigurisë.

Sipas Shalës, shtetësia e Kosovës nuk është më objekt fushatash taktike, por një realitet i pakthyeshëm në rendin ndërkombëtar.

“Në planin e sigurisë dhe inteligjencës, deklarata duhet parë si pjesë e një operacioni të vazhdueshëm hibrid, ku diplomacia agresive, dezinformimi dhe presioni politik përdoren për të krijuar mjegull strategjike dhe për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësitë e Serbisë në rajon. Përgjigjja institucionale duhet të jetë e qetë, e koordinuar dhe e bazuar në fakte, duke theksuar se shtetësia e Kosovës nuk është më objekt fushatash taktike, por një realitet i pakthyeshëm në rendin ndërkombëtar”, deklaroi Shala për “Enigmën”.

“Vuçiqi me këto deklarata mbijeton në Serbi”

Kandidatja për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se pas deklaratave të Vuçiqit duhet të reagojnë shtetet evropiane, pasi me këtë deklaratë ai ka shkelur zotimin ndaj BE-së.

“Nuk është e çuditshme, këto janë deklarata që përsëriten në vazhdimësi, sepse Serbia dhe Vuçiqi me këto deklarata mbijetojnë politikisht në Serbi. Këtu duhet të reagojnë shtetet evropiane, Bashkimi Evropian, sepse në marrëveshje parashihet që asnjëra palë të mos e pengojë as rrugën evropiane, por as njohjet apo çnjohjet. Megjithatë, kjo është politikë e tyre. Ne duhet të vazhdojmë: kushdo që do të jetë në qeverinë e ardhshme, duhet të angazhohen të gjitha institucionet për njohje të reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, deklaroi Kadrijaj për Gazetën “Enigma”.

“Mungon reagimi i Kosovës”

Njohësi i çështjeve poltitike, Arton Muhaxheri, thotë se Serbia nuk ka ndryshuar asgjë në qasjen e saj ndaj Kosovës.

“Ajo vazhdon pa ndërprerje të lobojë në vendet anëtare të BE-së dhe kudo ku ka hapësirë politike, me synim çnjohjen e Kosovës nga shtetet që tashmë e kanë njohur si shtet të pavarur. Kjo është një strategji e hershme dhe e qëndrueshme e Beogradit”, thotë Muhaxheri për “Enigmën”.

Ajo që mungon sot, sipas Muhaxherit, është reagimi i Kosovës.

“Institucionet tona kanë dështuar të vënë në funksion mekanizmat e domosdoshëm diplomatikë dhe lobues për ta neutralizuar këtë fushatë. Në vend që të kemi një kundër-lobim aktiv dhe të organizuar, jemi në një fazë pasiviteti të plotë, ku njohjet e fituara lihen pa mbrojtje”.

“Njohja ndërkombëtare nuk është proces i përfunduar një herë e përgjithmonë — ajo kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme politike dhe diplomatike. Pa strategji të qartë, pa koordinim institucional dhe pa shfrytëzim të diasporës dhe partnerëve tanë, kërkesat e Serbisë për çnjohje rrezikojnë të kenë efekt”, deklaroi tutje Muhaxheri.

“Kosova nuk mund të përballojë luksin e heshtjes. Në diplomaci, mosveprimi është humbje”, përfundoi ai.

Kujtojmë se këto deklarata vijnë në kundërshtim të hapur me zotimet e para disa vitesh të autoriteteve serbe, të cilat kishin pranuar pezullimin e fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, si pjesë e angazhimeve në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Deklaratat e fundit të Vuçiqit tregojnë se Beogradi tashmë ka nisur një fushatë të re, duke shkelur kështu marrëveshjet dhe zotimet e mëparshme. /Gazeta Enigma/

Related Articles