Një grua 71-vjeçare me origjinë nga Kosova, është gjetur e vdekur të mërkurën mbrëma në banesën e saj në Buchs të Zvicrës.
Rastin e ka konfirmuar policia kantonale e Cyrihut, ndërkaq janë arrestuar tre të dyshuar.
“Pak pas mesnatës, qendra operative e policisë kantonale të Cyrihut mori një raport se një person i pajetë ishte gjetur në një ndërtesë banimi. Paramedikët, të cilët u dërguan menjëherë në vend të ngjarjes, mundën vetëm të përcaktojnë vdekjen e gruas”, u tha në njoftimin e Policisë kantonale të Cyrihut.
Sipas njohurive të deritanishme të policisë, “71-vjeçarja kosovare u vra”.
“Tre të dyshuar që ishin në shtëpi u arrestuan përkohësisht. Të arrestuarit janë një grua zvicerane dhe dy zviceranë të moshës 48, 51 dhe 27 vjeç”, njoftoi policia kantonale e Cyrihut.
Motivi, rrjedha e ngjarjeve dhe sfondi i krimit nuk janë sqaruar ende dhe po hetohen nga Policia Kantonale e Cyrihut dhe Prokuroria Publike për krime të rënda të dhunshme.
Së bashku me policinë kantonale, u dërguan shërbimi i shpëtimit i Spitalit Limmatttal, Instituti i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Cyrihut (IRM), Instituti Ligjor i Cyrihut (FOR) dhe një shtëpi private funerale.
