CFR Cluj ka marrë një ofertë konkrete prej 2 milionë eurosh për sulmuesin anësor, kosovarin Meriton Korenica.
Futbollisti ynë po kërkohet nga Apollon Limassol, klub nga kampionati i Qipros, i cili po synon përforcime të rëndësishme gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Sipas burimeve të mediumit rumun GSP, bisedimet mes dy klubeve janë në vazhdim dhe pritet që deri në natën e Vitit të Ri, drejtuesit e CFR Cluj t’i japin një përgjigje përfundimtare klubit qipriot lidhur me ofertën për Korenicën.
Apollon përgatit kontratën për Korenicën
Po sipas të njëjtave burime, Apollon Limassol e ka përgatitur tashmë kontratën për futbollistin kosovar. Në rast transferimi, Korenica do të përfitonte një pagë vjetore prej 500 mijë eurosh, shifër që e bën ofertën mjaft tërheqëse për lojtarin.
Pas shitjes së Lindon Emerllahut në Ukrainë, te Polissya, për shumën prej 1.5 milionë eurosh, CFR Cluj është përballë mundësisë për të humbur një tjetër titullar. Këtë herë, klubi rumun do të përfitonte edhe më shumë financiarisht, me një shumë prej 2 milionë eurosh për Korenicën. Diskutimet mes palëve pritet të vazhdojnë deri në fund të vitit.
