Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një tubimi elektoral në Gjilan, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka folur për, siç e quajti ai, “qepjen e thesit” dhe rikthimin e pasurisë publike nën kontrollin e shtetit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi se Qeveria që ai drejton ka trashëguar një situatë të rënduar në sektorin doganor, ku shumica e terminaleve ishin privatizuar nga qeveritë e mëparshme.
“Ja dy shembuj të thjeshtë të qepjes së thesit: 11 terminale doganore i ka pasur shteti i Kosovës, veç një terminal doganor ne e kemi gjetur tek shteti – atë në Aeroportin ‘Adem Jashari’. Dhjetë të tjerët i kishin privatizuar,” deklaroi Kurti.
Ai shtoi se gjatë mandatit aktual është bërë kthim i ndjeshëm i këtyre aseteve në pronësi publike. Sipas tij, aktualisht tetë terminale doganore janë nën administrimin e shtetit, ndërsa edhe tre të tjerat që vazhdojnë të jenë në pronësi private pritet t’i kthehen shtetit në pranverën e vitit 2026.
