Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, po vlerëson se partneriteti rajonal është parakusht për integrim në Bashkimin Evropian (BE), por veç nëse shtetet në iniciativa të përbashkëta trajtohen si të barabarta, raporton Gazeta Enigma.
Gërxhaliu duke folur për takimin e djeshëm të liderëve të tri shteteve fqinje, tha se nuk mund të ketë iniciativa kur qysh në start, shtete si Kosova janë të diskriminuara.
Po sipas tij, ndonëse nuk duhet që të refuzohet pjesëmarrja në takime të tilla, nuk ka nevojë të merret pjesë vetëm sa për sy e faqe.
“Rrugëtimi drejt familjes evropiane për Kosovën nuk ka alternativë, partneriteti rajonal është ndër kushtet esenciale dhe në këtë drejtim besoj që Kosova nuk duhet të gjenerojë politikë refuzuese, por politikë argumentuese që vetëm me argumente të jemi të barabartë”.
“Nuk mund të ketë iniciativa kur qysh në start do të jesh i diskriminuar, nuk ke lëvizje të lirë, qoftë mallrave, qoftë të shërbimeve, qoftë të kapitalit, qoftë të njerëzve. Kërkohet nga Kosova që të jetë pjesë e këtyre iniciativave është pakasa e tepër, mirëpo Kosova duhet të reflektojë, që ne nuk e kundërshtojmë integrimi, por nuk mund të jemi dekor i iniciativave vetëm për sy e faqe”.
Fjalimet nga Shkupi të kreu të Qeverisë shqiptare dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ai po i quan qesharake dhe tragjike, duke e cilësuar krejt takimin si spektakël politik.
“Diskursi dhe fjalimet dje në Shkup kanë qenë sa qesharake aq edhe tragjike, por ky është Ballkani. Ka qenë shumë më tepër një spektakël politik ku është tentuar të fshihen probleme në të tri vendet, por Kosova nuk duhet që të refuzojë, duhet të jetë pjesëmarrëse t’i thotë argumentet e veta”.
Madje sipas tij, iniciative e së enjtes është grushti më i madh që i është dhënë procesit të Berlinit, duke shtuar se në aspektin ekonomik vështirë se mund të ketë përfitime për shkak të barrierave ekzistuese nga Serbia.
“Iniciativa e djeshme Ballkani i Hapur është grushti më i madh që i është dhënë procesit të Berlinit. Ekonomikisht do të jetë e vështirë të jemi përfitues ngase ka shumë barriera, sidomos nga Serbia që e sheh Kosovën si pjesë të saj. Një iniciativë që nuk ka mbështetje nga BE nga donatorët në veçanti nga ShBA, është shumë e mundur të dështojë kjo iniciativë”.
Pas një diskutimi rreth 2 vjeçar të enjten kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nënshkruan marrëveshjen bashkëpunim në përballje e fatkeqësitë natyrore, memorandum bashkëpunimi për të lehtësuar importet dhe eksportet dhe lëvizjen e mallrave, lëvizje për tregun e lirë dhe leje të qëndrimin./Gazeta Enigma/