Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë, të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” si dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit – persona fizikë: N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., si dhe persona juridikë: “A&F P. Sh.p.k”, “S. Sh.p.k” dhe “Sh.G Sh.p.k”, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit A.M. dhe N.D., në periudhën nga 2 prilli 2019 deri më 11 mars 2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT-it, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit “Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë.
Si pasojë e këtyre veprimeve, buxheti i shtetit dyshohet se është dëmtuar në vlerë prej 1,824,970 euro.
Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., në periudhën nga 26 tetori 2020 deri më 27 nëntor 2023, në cilësinë e personave zyrtarë në MASHT, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900 për qind më të larta se ato të tregut, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 2,148,282.35 euro.
Gjithashtu, ata dyshohet se, në kundërshtim me kushtet e kontratës, kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia, në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar fillimisht në kontratë.
Si rezultat i këtyre veprimeve, sipas aktakuzës, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar buxhetit të shtetit arrin në 3,626,243.80 euro.
