Dyshime për manipulime me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, dhe ankesa nga kandidatët për deputetë ka pasur në vazhdimësi ndër vite në Kosovë.
Tani, një vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për t’i rinumëruar votat në një të tretën e vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka ngritur shqetësime edhe për integritetin e procesit më të fundit zgjedhor.
Për më tepër, rinumërimi rrezikon ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja të Kosovës, dhe mund të sjellë ndryshime në përbërjen e Kuvendit prej 120 vendesh, paralajmërojnë vëzhguesit.
Çka ndodhi dhe si erdhi deri këtu?
KQZ-ja – e cila mbikëqyr procesin zgjedhor në vend – e filloi rinumërimin më 13 janar në 914 vendvotime nga 2.557 sa ishin në zgjedhjet e dhjetorit, pasi vërejti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë.
“Rezulton se votat e kandidatëve, të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, tha KQZ-ja.
Rinumërim të plotë, sipas saj, do të ketë në 10 komuna të Kosovës, ndërkaq në 28 komunat tjera do të ketë rinumërim vetëm në 10 për qind të vendvotimeve, gjatë dy javëve në vijim.
KQZ-ja i hetoi 33 vendvotime të ndryshme në gjithë vendin, duke i shikuar xhirimet e kamerave të vendosura në tavolinat e numërimit në qendrat komunale të numërimit.
“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor”, thotë për REL zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Si bëhet numërimi i votave dhe si rrodhën lëshimet?
KQZ-ja i emëron grupet e numërimit në bazë të nominimeve të partive politike, sipas Ligjit për zgjedhjet.
Në rastet kur subjekti politik nuk nominon anëtarë për numërim apo nominon pamjaftueshëm, apo kur numëruesit e subjekteve politike nuk paraqiten në vendin e numërimit, KQZ-ja emëron numërues nga stafi i saj.
Në qendrat komunale të numërimit vendosen tavolina, në të cilat, tani me ligjin e ri nga viti 2023, përveç grupeve të numërimit, vendoset edhe një kamerë sipër për ta xhiruar çdo fletëvotim që kalon nëpër dorën e numëruesit, e cila shfaq fletëvotimin në një ekran aty pranë. Ai ekran shërben për t’ua mundësuar vëzhguesve ta shohin dhe ta verifikojnë çdo fletëvotim.
Po ashtu, numëruesi flet me zë të lartë, në mënyrë që zyrtari tjetër përgjegjës t’i fusë votat në një sistem elektronik. Përveç personit që e lexon fletëvotimin, një i dytë e merr atë dhe e verifikon.
