Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga Kompleksi Memorial në Reçak, tha se masakra ndaj 45 viktimave ishte dëshmia e gjallë se Serbia synonte që të zhdukte popullin shqiptar nga faqja e dheut.
Osmani pas homazheve theksoi se dhimbja për masakrën e Reçakut është ende e freskët, dhe se për këtë krim dhe shumë të tjera, Serbia nuk u ndëshkua. Nga aty ajo theksoi se Serbia edhe sot po vazhdon me të njëjtën mendësi e politik, duke mohuar edhe masakrën e Reçakut.
“Në këtë 27-vjetor të Masakrës së Reçakut, edhe një herë kujtojmë viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Reçakut ende flasin, sepse dhimbja është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh. Dhimbja është e freskët për familjet, por është e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, tha Osmani.
Osmani tha se themelet e shtetit të Kosovës janë të forta dhe kjo u bë falë sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të UÇK-së.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën jo vetëm këtu në Kosovë, por gjithkund në botë. Sepse, ashtu siç dëshmoi ambasadori Walker, ajo që ndodhi këtu ishte krim kundër njerëzimit, ndaj të pafajshmëve, dhe ishte dëshmi e gjallë se qëllimi i regjimit serb ishte ta zhdukte popullin shqiptar në Kosovë nga faqja e dheut. Sot jemi të lirë, gëzojmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në shtetin tonë sovran në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak se themelet e shtetit tonë janë të forta dhe janë bërë të forta me sakrificën e martirëve të Reçakut dhe gjithëandej Kosovës, si dhe dëshmorëve të UÇK-së, të cilët dhanë edhe jetën në mënyrë që ne sot të gëzojmë lirinë”, deklaroi Osmani.
