Nga 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt 2026, para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahen deklaratat përmbyllëse në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara, seancat janë planifikuar të zhvillohen çdo ditë nga ora 09:00 deri në 16:30 dhe do të jenë të hapura për publikun. Ato do të mund të ndiqen përmes transmetimit në faqen zyrtare të DHSK-së, me një vonesë prej 45 minutash, në tri gjuhët zyrtare të gjykatës: shqip, serbisht dhe anglisht, si dhe nga galeria publike në Hagë.
Për shkak të interesimit të madh, pjesëmarrja fizike kërkon regjistrim paraprak. Të interesuarit duhet të dërgojnë një e-mail në adresën [email protected], duke specifikuar emrin dhe datat e dëshiruara. Gazetarët duhet të tregojnë mediumin që përfaqësojnë dhe nëse kanë nevojë për ulëse në qendrën për media. Afati për regjistrim është deri më 30 janar, ora 17:30 (CET), ndërsa konfirmimet do të dërgohen deri më 5 shkurt.
Sipas rendit të ditës të publikuar nga Trupi Gjykues, më 9 dhe 10 shkurt do të paraqiten deklaratat përmbyllëse të Prokurorisë, më 10 shkurt edhe ato të Mbrojtjes së Viktimave, ndërsa nga 11 deri më 13 shkurt deklaratat e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve. Më 16 shkurt parashihen pyetje të mundshme nga Trupi Gjykues, ndërsa më 18 shkurt përgjigjet përfundimtare të palëve dhe deklaratat personale të të akuzuarve.
Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, që lidhen me ngjarje të dyshuara gjatë periudhës mars–shtator 1999 në Kosovë dhe në disa zona në veri të Shqipërisë.
Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues do të tërhiqet për shqyrtimin e aktgjykimit, i cili pritet të shpallet brenda afatit ligjor.
