Procesi i rinumërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon edhe në ditën e pestë, sipas vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se nga fillimi i rinumërimit, të martën më 13 janar 2026 në ora 18:00, e deri të shtunën, më 17 janar 2026 në ora 16:00, janë rinumëruar gjithsej 382 nga 914 vendvotime të planifikuara për këtë proces.
Sipas të dhënave zyrtare, rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 19 komuna, përkatësisht: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë dhe Prishtinë. Ndërkohë, në komunën e Prizrenit janë rinumëruar 109 nga 235 vendvotime të parapara.
“Gjatë ditës së sotme po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve që i takojnë komunës së Prizrenit, ndërsa më pas, sipas radhës, procesi do të shtrihet edhe në komuna të tjera”, bëri të ditur Elezi.
Ai theksoi se për të përshpejtuar procesin, nga dita e sotme në QNR është rritur numri i ekipeve të rinumërimit, nga 20 në 26 ekipe.
Rezultatet e rinumërimit publikohen në mënyrë të vazhdueshme në platformën zyrtare të KQZ-së për rezultate, në seksionin QNR > Rinumërim, pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug. Ndërkaq, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve, përfshirë Deçanin, Gjakovën, Gjilanin, Prishtinën, Pejën, Mitrovicën e Veriut dhe komunat e tjera të listuara në vendimin përkatës të KQZ-së.
KQZ ka bërë të ditur se procesi do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të vendimeve për rinumërim dhe në përputhje me standardet ligjore dhe procedurale në fuqi.
