Një gjykatë në Madrid refuzoi sot ankesën e Unionit Evropian të Futbollit (UEFA) kundër vendimit për të anuluar të gjitha veprimet e ndërmarra kundër 12 klubeve themeluese të Superligës Evropiane.
Tri klubet që nuk u larguan nga projekti, Barcelona, Real Madrid dhe Juventus, deklaruan se do të vazhdojnë me zhvillimin e ligës.
“Ne jemi të kënaqur që në të ardhmen nuk do të jemi më të ekspozuar ndaj kërcënimeve të vazhdueshme nga UEFA. Qëllimi ynë është që të vazhdojmë të zhvillojmë projektin e Superligës në një mënyrë konstruktive dhe bashkëpunuese, gjithmonë duke u mbështetur te të gjithë aktorët në futboll: tifozët, lojtarët, trajnerë, klube, liga dhe aleanca kombëtare dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Klubet shtojnë se “është detyra e tyre të merren me çështje serioze”, siç është pozicioni i UEFA-s, në futbollin evropian.
“Ky pozicion monopoli, në një konflikt interesi, dëmton futbollin dhe ekuilibrin e tij. Siç dëshmojnë prova të shumta, kontrollet financiare janë të papërshtatshme dhe të zbatuara në mënyrë jo të duhur. Klubet që marrin pjesë në garat evropiane kanë të drejtë të menaxhojnë garat e tyre,” thuhet më tej në deklaratë.
Vendimi i Gjykatës Tregtare në Madrid nga 1 korriku, shpalli të pavlefshme masat disiplinore të UEFA-s, të cilat u pranuan nga nëntë klube themeluese (Atletico Madrid, Milan, Inter, Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester United, Manchester City dhe Tottenham).
Ata ranë dakord të heqin dorë nga pesë për qind e të ardhurave në sezonin e ardhshëm nga loja në Evropë, si dhe të paguajnë së bashku 15 milionë euro “si një gjest i vullnetit të mirë”.
UEFA gjithashtu parashikoi një gjobë prej 100 milionë eurosh, nëse njëri prej klubeve përpiqet të luajë përsëri në një garë të paautorizuar.
“Gjykata mbështet kërkesën e Superligës Evropiane, refuzon apelin e UEFA-s dhe konfirmon paralajmërimin se mosrespektimi i vendimit do të rezultojë në gjoba dhe përgjegjësi të mundshme penale. Rasti do të vlerësohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg, e cila do të marrë parasysh pozicionin monopol të UEFA -s mbi futbollin evropian,” përfundon deklarata.
Ndryshe, Superliga Evropiane u krijua në prill, por brenda pak ditësh, të gjashtë klubet angleze vendosën ta braktisin, pas reagimit të tifozëve dhe paralajmërimit të qeverisë britanike./Gazeta Enigma/