Rama uron Osmanin për ftesën e Trumpit për Kosovën për të qenë pjesë e Bordit të Paqes

Rama uron Osmanin për ftesën e Trumpit për Kosovën për të qenë pjesë e Bordit të Paqes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur të mërkurën ftesën që Kosova të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, duke e cilësuar atë si gjest tejet domethënës të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Përmes një shkrimi në “X”, Rama ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për marrjen e kësaj ftese, duke theksuar se ajo forcon më tej marrëdhënien e Amerikës me popullin shqiptar dhe dërgon një sinjal të qartë për sigurinë dhe përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit amerikan në botë.

Ai ka shprehur bindjen se faktorët politikë në Kosovë do ta çmojnë këtë hap si një “dorë të shtrirë” nga presidenti i SHBA-së,.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë. Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e  për rolin tënd ndërkombëtarisht”, ka shkruar Rama.

Trumpi ka ftuar një numër të madh liderësh për të qenë pjesë e këtij Bordi, përfshirë vetë kryeministrin Rama. / Gazeta Enigma.

Related Articles